Lajme

Pallati Élysée hap dyert për Ramën, Macron: Franca rikonfirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi këtë të hënë një takim të rëndësishëm në Paris me Presidentin francez, Emmanuel Macron, në një vizitë zyrtare që konfirmon afrimin gjithnjë e më të madh mes Tiranës dhe Parisit. I ftuar në Pallatin Elysee për një drekë pune që zgjati më shumë se dy orë, Rama dhe Macron diskutuan mbi sfidat e sigurisë në Europë, procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

Takimi vjen në një moment kyç për Shqipërinë, ndërsa vendi synon të përshpejtojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në fokus të bisedimeve ishte edhe qasja e re ndaj procesit të integrimit, një reformë që është mbështetur publikisht nga kryeministri shqiptar. Rama dhe Macron konfirmuan gjithashtu vullnetin për të thelluar partneritetin strategjik mes dy vendeve, ndërsa diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe koordinimin në kuadër të aleancës së NATO-s.

Takimi në Paris është pjesë e një dialogu të vazhdueshëm mes dy liderëve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë intensifikuar kontaktet dhe bashkëpunimin politik, duke e pozicionuar Francën si një nga mbështetëset më të rëndësishme të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Sakaq, presidenti Macron ka postuar disa foto me një mesazh për këtë takim, ku nënvizohet se Franca rikonfirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë. ”Dinamika shumë e mirë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, arsimit dhe arsimit të lartë, kulturës dhe turizmit, dëshmon afërsinë tonë. Ne dëshirojmë t’i japim kësaj marrëdhënieje një shtysë të re, duke vazhduar njëkohësisht të forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes. Franca rikonfirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për vazhdimin e reformave të nevojshme për të ecur përpara në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”.

/Shqip.com