Lajme

Pacolli: Më para shkoj në hënë se sa më lejojnë qeveria të ndërtoj fabrikë

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është shprehur të enjten i shqetësuar për gjendjen e mjedisit në Kosovë, teksa ka thënë se institucionet dhe organizatat nuk po bëjnë asgjë në këtë drejtim.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se “prerjet brutale” të pyjeve, ndotja e ujit dhe lumenjve, si dhe krijimi i pakontrolluar i deponive të mbeturinave, duhet që menjëherë të ndalohen nga qeveria.

Në postim ka komentuar një qytetar, duke thënë se Pacolli dhe njerëzit si ai që “qëndrojnë mirë ekonomikisht”, mund të bëjnë ndryshim në këtë fushë, duke investuar në fabrika të riciklimit të materialeve ose në energji të ripërtëritshme.

Këtij komenti i ka reaguar i pari i AKR-së duke thënë se “unë do të shkoja më parë në hënë se sa të marr lejen nga kjo qeveri për të ndërtuar një fabrikë të tillë”.

“Do të investoja qindra miliona në këtë fushë (është shumë fitimprurëse) por kjo qeveri nuk do të më japë kurrë leje, edhe pse nga ana tjetër unë jam punëdhënësi më i madh privat në Kosovë e kam demonstrua se kam mundësi dhe di me e be”, ka shkruar Pacolli./SHQIP.com