Lajme

Osmani viziton ukrainasit që po trajnohen për heqjen e minave në Pejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot qendrën e trajnimit MAT Kosova në Pejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot qendrën e trajnimit MAT Kosova në Pejë, ku aktualisht janë duke u trajnuar grupi i dytë i ukrainasve për heqjen e minave.

Lajmin për vizitën e saj e dha vetë presidentja në një postim në Twitter, ku tha se Kosova qëndron me krenari me Ukrainën.

“Sot vizitova qendrën e trajnimit të MAT-it në #Pejë e cila ofron shërbime të ndryshme trajnimi për deminim. Shumë kursantë ukrainas po pajisen me aftësitë e nevojshme për të pastruar vendin e tyre nga minat dhe për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë ukrainasit. Kosova qëndron me krenari me Ukrainën”, shkruan ajo.

Ndryshe, mediumi anglez “Sky News” ka publikuar pamje që tregojnë një grup të grave ukrainase duke u trajnuar për heqjen e minave tokësore dhe mjeteve të tjera të pashpërthyera, në qytetin e Pejës në Kosovë.

Në fotografitë e publikuara, grupi i cili përfshin personel civil dhe ushtarak, mund të shihet duke kërkuar mina tokësore të rreme. Ato mbajnë të veshur jelekë antiplumb ndërsa trajnohen që së shpejti t’i shërbejnë vendit të tyre në çminim./SHQIP.com