Lajme

Osmani udhëton për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Pas pjesëmarrjes në samitin e Bashkimit Evropian, Presidentja e Kosovës ,Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Sipas njoftimit kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore.

“Gjatë qëndrimit në Tajlandë, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha.Kurse në Samitin “Global Summit of Women”, Presidentja Osmani do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri” thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu është bërë e ditur se Osmani, gjithashtu do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova.

Pas vizitës në Tajlandë, Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit z.Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, znj. Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, dr. Mohamad Maliki Bin Osman./Shqip.com