Osmani tregon se cilat tema do të diskutohen në Samitin e Demokracisë

Fuqizimi i demokracisë dhe luftimi i autoritarizmit, lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut janë temat që do të prezantohen nga Kosova në Samitin e Demokracisë që mbahet më 9 dhe 10 dhjetor, përcjell Shqip.com.
Kështu ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim me të ngarkuarin me punë në Ambasadën Amerikane, Nicholas Giacobbe, ku kanë diskutuar lidhur me ftesën e presidentit amerikan, Joe Biden, ndaj Kosovës për pjesëmarrje në këtë Samit.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani dhe Giacobbe u dakorduan se Kosova paraqet shembull të mirë të një demokracie në zhvillim dhe bashkëpunimi me SHBA-në paraqet orientim strategjik të Kosovës.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane do ta hartojë planin për prezantim në Samitin për Demokraci, i cili do të mbulojë tri fusha: fuqizimi i demokracisë dhe luftimi i autoritarizmit, lufta kundër korrupsionit si dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që Kosova paraqet shembull të mirë të një demokracie në zhvillim dhe se bashkëpunimi me ShBA-në paraqet orientim strategjik të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Ndryshe, Osmani do ta udhëheq delegacionin e Kosovës në Samitin e Demokracisë i cili do të mbahet virtualisht, kurse vitin tjetër, do të mbahet me prezencë fizike.
Kosova është ftuar të hënën në Samitin e Demokracisë nga Joe Biden, ku Osmani u shpreh se Amerika po tregon vlerësim për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojne secilit qytetar ta përmbush potencialin e vet.
Kjo ftesë erdhi pas raportimeve të shumta se Kosova sikurse Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk janë në listën e 100 vendeve të ftuara në këtë samit që do të mbahet për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Madje, lajmin se SHBA nuk i kishte bërë ftesë Kosovës në këtë samit, e kishte konfirmuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë, e cila tha se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë.
Një reagim kishte edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila i la faj krijimit të qeverisë paraprake nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për mosftesën nga SHBA-të në këtë samit./SHQIP.com