Lajme

Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Vjosa Osmani, presidente e Kosoves

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Presidentja e Kosovës ka thënë se kjo ditë është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.

“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzve tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre.” ka thënë Osmani.

Po ashtu Osmani ka shtuar se kjo ditë na bënë të kthejmë kokën.

‘’Kjo ditë na bën ta kthejmë kokën pasi jo vetëm për t`i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë fuqishëm se për ta nuk është vetëm një ditë si kjo, por çdo ditë. Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Osmanit, forcat e regjimit gjenocidal, kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë, e ndër më të tmerrshmet është masakra e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 377 djem e burra shqiptarë.

Pllaka Përkujtimore

“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik andaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit. Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani në përkujtimin e Masakrës së Mejës.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovës pritet të zhvillohen shumë aktivitete./Shqip.com