Osmani: Të miratohen ndryshimet kushtetuese, janë kusht për në BE

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrim në Bashkimin Evropian.
“Tema e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet sa më shpejt në Kuvend. Partitë politike duhet që të arrijnë një konsensus për çështjet evropiane dhe të arrijnë një marrëveshje që kushdo qoftë në pushtet, të mos ketë dallime për këtë çështje”, deklaroi kryediplomati Osmani.
Më tutje Osmani është shprehur se qytetarët pavarësisht se cilës prejardhje politike i përkasin, duan anëtarësimin në BE.
Rreth pesë muaj më parë, parlamenti bullgar kishte miratuar propozimin e presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Për këtë rezolutë 170 deputet kishin votuar pro, 37 ishin kundër dhe 21 abstenuan, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ligjvënësit bullgarë votuan që të heqin VETO-n sipas kushteve të propozimit të presidencës franceze, me disa propozim-ndryshime të caktuara të propozim teksteve të procesit negociues.
Lidhur me këtë propozim, në Maqedoni u organizuan protesta të dhunshme.
/Shqip.com