Osmani takohet me Admiralin Munsch në konferencën e sigurisë në Mynih

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Admiralin Stuart Munsch i cili është komandant i komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e presidencës.
“Në Mynih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli”, thuhet në njoftimin e ZP-së.
Thuhet se në këtë takim, Osmani ka shprehur mirënjohje për NATO-n gjatë këtyre 23-viteve.
“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për punën e NATO-s në Kosovë përgjatë këtyre 23 viteve në mbrojtje të sigurisë e stabilitetit”.
Tutje, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, me ç’rast u potencua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë përderisa ballafaqohemi me këto sfida në rajonin tonë dhe përtej.
/Shqip.com