Osmani: Shpresojmë që deklarata të hapë rrugën për pranimin e krimeve nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën në Bruksel.
Osmani, përmes një deklarate në Twitter tha se fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë”.
“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë. Atyre u është mohuar në mënyrë çnjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë të gjatë”, thuhet në deklaratë.
Tutje, Osmani tha se “shpresojmë që Deklarata e rënë dakord sot në Bruksel do të hapë rrugën për pranimin e këtyre krimeve dhe për drejtësinë”, por mbi të gjitha, siç e thotë ajo, “të jetë një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme”.
“Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”.
My statement following the Declaration on forcibly disappeared persons, agreed today in Brussels ⬇️ pic.twitter.com/NwZqQJPd75
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 2, 2023
/Shqip.com