Lajme

Osmani pret në takime për fundvit Vitinë dhe Nagavcin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime gjatë kësaj jave me ministrat e Qeverisë Kurti. Osmani ka mbajtur takimin e fundvitit me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, si dhe Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Për këto takime ka njoftuar Presidenca në faqen zyrtare.

Me Vitinë ka folur për sfidat dhe zhvillimet në sektorin e shëndetësisë.

“Në kuadër të Këshillit për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të udhëhequr nga Presidentja, janë identifikuar një sërë çështjesh që e involvojnë sektorin e shëndetësisë, prandaj gjatë takimit u diskutua për reformat që janë realizuar si dhe planet konkrete për vitin në vijim me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore.

Në mes tjerash, Presidentja Osmani foli edhe për angazhimin e rregullt në drejtim të ndërtimit të partneriteteve, të reja të cilat kanë për qëllim mbështetjen e sektorëve të ndryshëm në vend, me ç’rast veçoi komunikimet e rregullta dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerë të shumtë ndërkombëtar me qëllim të mbështetjes dhe avancimit të shërbimeve të ofruara në fushën e shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com