Lajme

Osmani pret në takim ambasadorin e ri të SHBA-së: Është mik i Kosovës, i kupton mirë dinamikat

Vjosa Osmani dhe Jeff Hovenier.

Presidentja, Vjosa Osmani, paraditen e së hënës ka pritur në takimin mirëseardhës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përcjell Shqip.com.

Në një adresim për media, Osmani tha se Hovenier është shumë i afërt me vendin pasi që ka punuar edhe më parë në vend, duke shtuar se “i kupton dinamikat e zhvillimeve”.

Tutje, ajo deklaroi se Kosova ka përparuar, por që ka qëndruar gjithmonë konsistente në marrëdhëniet me SHBA-të.

“Ne jemi rritur e zhvilluar si vend sepse jemi të bekuar ta kemi SHBA-në pranë nesh. Roli i ambasadorit është thelbësor që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë. Në këtë kapitull të ri shpresoj t’i forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, t’i shtyjmë idealet dhe vlerat demokratike që ne besojmë”, deklaroi Osmani.

Ndërkaq, ambasadori i ri, Hovenier u shpreh se është nder që të shërbejë në Kosovë dhe se do ta përcjellë përkushtimin e SHBA-së.

“Duhet falënderuar njerëzit e Kosovës që kanë punuar për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Është nder për karrierën time që kam punuar në procese që kanë pasur të bëjnë për Kosovën dhe nder që do të punojë këtu. Ka ende shumë punë për të bërë, si në çdo shtet. SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës.

Do të punojmë me ju, me Qeverinë, me shoqëritë civile, me qytetarët tuaj. Zotimet e presidentes për zhvillimin e institucioneve të pavarura, sistemit gjyqësor, janë shumë të rëndësishme që të ecim përpara drejt institucioneve euro-atlantike. Është fillim i një dialogu dhe është një hap i mrekullueshëm”, tha Hovenier./SHQIP.com