Osmani: Policia e Kosovës megjithëse e re, prej dy dekadash ka rritur shkallën e profesionalizmit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur respektin për zyrtarët e Policisë së Kosovës, në 22-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh se megjithëse është forcë e re e rendit, Policia e Kosovës, prej dy dekadash ka rritur shkallën e profesionalizmit me të cilën mburret.
Sipas saj, përpjekja për sundimin e ligjit nuk duhet të pushojë asnjëherë, duke thënë se këtë rrugë duhet ndjekur deri në ofrimin e sigurisë publike në gjithë territorin.
“Përpjekja jonë për sundimin e ligjit nuk duhet pushojë asnjëherë. Këtë rrugë të nisur duhet ta kemi synim të çdoditshëm në ofrimin i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Police e policë të dashur të Kosovës, urime 22- vjetori themelimit! Faleminderit që çdo ditë kujdeseni për garantimin e një mjedisi të qetë, të cilin e dëshirojmë të gjithë, e i cili bëhet i mundshëm në saje të profesionalizmit tuaj!”, shkroi tutje Osmani.
Ndryshe, të hënën është shënuar 22-vjetori i themelimit, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në këtë ditë janë përkujtuar edhe 22 policët të cilët kanë rënë në krye të detyrës zyrtare./Shqip.com