Osmani përkujton Ukë Bytyqin: U vra teksa promovoi idealin për shtetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, i cili u vra më 27 tetor të vitit 2002, bashkë me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyçin, njofton Shqip.com.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Osmani e kujtoi Bytyqin si veprimtar të shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, “aktivist i devotshëm e bashkëmendimtar i presidentit historik të Kosovës, dr Ibrahim Rugovës”.
“Guximi e vendosmëria e tij për të vepruar, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës”, ka shkruar më tej Osmani.
Ajo më tej thotë se Bytyçi dhe përcjellësit e tij u vranë teksa po e promovonte idealin për shtetin “në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë dhe të manifestimit qytetar”. /Shqip.com