Osmani për marrëveshjen për energji: Progresi i arritur sot, i një rëndësie vendimtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie vendimtare.
Osmani, këtë e tha përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.
Ajo, marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike e ka quajtur përparim në dialog.
“Përparimi i bërë sot në dialogun Kosovë-Serbi nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje mbi planin e energjisë është i një rëndësie vendimtare. Si kurrë më parë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar aktivisht në këtë proces. Tani zbatimi është hapi kyç përpara”, shkroi Osmani.

Kosova dhe Serbia sot gjatë ditës ka nënshkruar marrëveshje për energjinë elektrike.
Kjo marrëveshje mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullator të Kosovës.
Energjia e shpenzuar nga konsumatorët në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, llogaritet të jetë çdo vit rreth 12 milionë euro.
Kurse, borxhi i banorëve të komunave serbe iu është faturuar banorëve të pjesës tjetër të vendit në vlerë prej 3.5% më shtrenjtë.
Kjo formë e funksionimit institucional u ndalua nga Gjykata e Apelit në vitin 2017.
Megjithatë, në vitin 2021 u autorizua Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) të shfrytëzojë të hyrat vetanake dhe të paguajë energjinë elektrike në atë pjesë të vendit.
Po ashtu, për këtë marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar edhe Ambasada e Shtetëve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se kur Kosova dhe Serbia angazhohen në mënyrë kreative përfitojnë qytetarët./Shqip.com
