Osmani nga Mali i Zi: Çështja e demarkacionit nuk i përket më politikanëve, le të flasin ekspertët

Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani , tha se deri më tani janë ratifikuar tri dokumente për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe se kjo nuk është më çështje për politikanët.
“Politikanët nuk do të flasin më, ekspertët do të krijojnë një komision të përbashkët për të vendosur kufirin. Tashmë i takon ekspertëve që të vazhdojnë punën, jo politikanët që e përfunduan punën duke ratifikuar dokumentet”, tha Osmani në konferencën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan” në Budva, raporton media malazeze, CDM.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic , së fundi ka thënë se për Malin e Zi ka përfunduar demarkacioni me Kosovën dhe se nuk e sheh mundësinë e rishikimit të tij, gjë që ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Theksojmë se Kurti ka thënë se nuk do të ketë zbatim të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në formën në të cilën është ratifikuar në vitin 2018.
Çështja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit ishte lidhur edhe me liberalizim të vizave, por marrëveshja u votua e liberalizimi nuk ka ndodhur ende.Për të ulur tensionet e atëhershme, ishte rënë dakord mes dy qeverive që të krijohen komisione për të rishikuar vijën kufitare “nëse ka gabime”.
Në samitin e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i SHBA-së, po marrin pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach e ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Po ashtu, pjesëmarrës janë liderë rajonalë, si kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj./Shqip.com