Osmani nga Forumi i Paqes: Agresorët nuk duhet të shpërblehen, jemi për paqe afatgjate

Në Forumin e Paqes në Paris, përkrah presidentes së Hungarisë, Katalin Novak, Pascal Boniface dhe Jean-Marie Guéhenno, diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në këto kohë sfiduese për kontinentin tonë.
Kështu ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook.
Mes tjerash ajo ka shkruar se Kosova është shembulli më i mirë, se pas një terrori disa vjeçar është punuar shumë për të ndërtuar aleanca bashkëpunimi me shtetet e rajonit.
“Potencova se Republika e Kosovës është shembulli më i mirë i një vendi, i cili ka përjetuar terrorin e luftës, ka qenë viktimë e gjenocidit, por ka punuar intensivisht për t’u shndërruar në një partner të besueshëm për rajonin dhe për aleatët ndërkombëtar”, ka shkruar Osmani.
Duke folur mbi zhvillimet aktuale në Evropë, presidentja e Kosovës, ka thënë se akomodimi i autokratëve nuk sjell paqe dhe agresorët nuk duhet asnjëherë të shpërblehen.
“Akomodimi i autokratëve nuk sjell asnjëherë më shumë paqe. Përkundrazi, kjo krijon më shumë hapësirë për shkatërrim e luftë si dhe inkurajon më shumë autokracinë dhe hegjemonitë. Paqja është e mundshme dhe afatgjate atëherë kur nuk shpërblehen agresorët”, thekson presidentja Osmani.
Tutje, ajo ka e ka përmendur edhe kurthin e dyanshmërisë, duke e vënë theksin se paqja arrihet vetëm kur dihet se kush është viktime e kush agresori.
“Nuk duhet kurrë të biem në kurthin e dyanshmërisë. Nuk mund të përdorim argumentin e dyanshmërisë kur është e qartë se kush është viktima e kush agresori. Paqja është e mundshme vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat dhe ballafaqim me të kaluarën. Në të kundërt, rrezikojmë që e kaluara të përsëritet”, shkruan Osmani.
Andaj, paqja dhe bashkëpunimi do të jenë të mundshme dhe të qëndrueshme vetëm kur partneritetet ndërtohen mbi bazën e vlerave të njëjta dhe duke respektuar vlerat demokratike e të drejtat e njeriut.
/Shqip.com