Osmani: Më në fund qytetarët tonë do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani reagoi sot pas miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian.
Osmani vendimin e sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës e quajti fitore jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë.
“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.
Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj.
Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, shkruan Osmani.
Kujtojmë se, Parlamenti Evropian përfundimisht ka miratuar liberalizimin e vizave për kosovarët këtë të martë, duke u dhënë të drejtën qytetarëve të Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë nga 1 janari i vitit 2024.
PE-ja miratoi marrëveshjen për lirinë e vizave me qëndrim të shkurtër me Kosovën.
“Qytetarët e Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një kuadër të ngjashëm vizash për zonën Shengen”, thuhet në njoftimin e PE-së në faqen zyrtare të tyre.
Me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja e Parlamentit Evropian, një përfaqësues i presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Institucionet e BE-së kanë rënë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
/Shqip.com