Lajme

Osmani: Masakra ndaj familjes Deliu – dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe

Vjosa Osmani - Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën në familjen Deliu në Abri të Epërme të Drenasit, në përvjetorin e 23-të të kësaj masakre, duke thënë se në këtë ditë kujton me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq e gra që u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë, njofton Shqip.com.

Osmani tha se masakra e familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, për të cilën ende nuk ka drejtësi.

“Sot i kujtojmë me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq, gra e të rinj, të cilët u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë. Sot i kujtojmë edhe dëshmorët: Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë dhe janë dëshmi e sakrificës për liri. Masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Sipas Osmanit, ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë.

“Planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës”, tha Osmani. 

Pllaka përkujtimore e 23 anëtarëve të familjes Deliu, të masakruar në fshatin Abri të Epërme të Drenasit më 26 shtator 1998

Më 26 shtator 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu janë masakruar në Abri të Epërme, derisa ishin strehuar në mal. Viktima më e re ishte e moshës 2-vjeçe, ndërsa ajo më e vjetër e moshës 94-vjeç. /Shqip.com