Osmani, Kurti, Konjufca bëjnë homazhe për viktimat e 11 Shtatorit

Tre krerët e shtetit të Kosovës, bashkë me zëvendës-ambasadorin amerikan, Nicholas Giacobbe, kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, shprehën mirënjohjen e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“SHBA-të janë aleat i yni strategjik dhe i përhershëm. Sot jemi me ta, sikurse në çdo situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 Shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve”, ka thënë Osmani.
Edhe, Konjifca theksoi se ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ka lidhje të fuqishme.
“Sulmet e 11 Shtatorit 2001 tronditën qytetarët e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, sepse midis dy kombeve tona është sendërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale. Kosova vazhdon të mbetet partner besnik i SHBA-ve në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të tyre“.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi sesi gjatë kohës sa ishte në burg, gardianët serbë u gëzuan teksa sulmoheshin “Kullat Binjake”.
Sot, mbushen 20 vite që nga sulmet terroriste mbi “Kullat Binjake”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
2 mijë e 977 njerëz kishin mbetur të vdekur, më 11 shtator 2001.
Sulmet ishin kryer nga organizata terroriste Al-Qaeda, të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë për të nisur sulmet.
Në përkujtimin e kësaj dite, presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi unitet.
“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas”, ka thënë Biden, gjatë një mesazhi të publikuar, të premten.
Pas këtyre sulmeve terroriste, ngjarje të shumta kishin pasuar në Lindjen e Mesme.
Ndërhyrja amerikane në Irak dhe Afganistan ndodhën pak kohë më pas, nën urdhrin e presidentit të atëhershëm, George Bush.
Madje, misioni në Afganistan ka përfunduar veç pak javë më parë.
Atë kohë amerikanët kishin larguar nga pushteti grupin militant, talebanët – të cilët tash morën drejtimin e Afganistanit menjëherë pasi forcat amerikane dhe të aleatëve u larguan.
Për këtë largim, Joe Biden ka marrë kritika, pasi 78 vjeçari kishte premtuar se grupi militant “s’mund ta pushtojë Afganistanin”.
Por, ushtria afgane e mbështetur nga SHBA-të nuk rezistoi, brenda pak ditëve shumica e territorit përfundoi në duart e grupit largimi i të cilëve 20 vite më parë erdhi me ndërhyrjen amerikane. /Shqip.com