Osmani i kërkoi përkrahjen Lituanisë për anëtarësimin e Kosovës në KE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani është pritur nga kryeministrja lituaneze, Ingrida Shimonyty.
Presidentja Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Shimonyte mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës.
Po ashtu, ka kërkuar mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.
Siç njofton komunikata e lëshuar nga Presidenca, Osmani dhe kryeministrja lituaneze kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.”, ka thënë Osmani.
Temë e takimit ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministres Shimonyte ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.
Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.
“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar Osmani.
Ajo po ashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë ta destabilizojë Ballkanin./Shqip.com