Lajme

Osmani gjatë takimit me Blinken: Mbesim aleat të SHBA-së dhe BE-së për t’i ndaluar planet e Rusisë

Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për mundësinë për tu takuar në Washington.

Ajo ka thënë se ndihma amerikane ka qenë ekzistenciale për të arritur lirinë, në rrugën për pavarësi e në zhvillimin si demokraci.

“Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm por ka qenë ekzistencial për ta arritur lirinë tonë. Vazhdon të jetë ekzistencial edhe sot e kësaj dite. Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo tregon çka mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA kur të përballet me tiraninë dhe sigurohet që liria mbizotëron ndaj tiranive dhe regjimeve të tilla”, tha ajo.

Ndërsa shtoi se do të vazhdojnë ta përkrahin Ukrainën dhe të qëndrojnë karshi SHBA-ve dhe BE-së.

“Siç e dini Vladimir Putin ka bërë përpjekje që të destabilizohet Ballkani Perëndimor, por ne vazhdojmë të mbesim aleatë me SHBA-në dhe BE-në për t’u siguruar që t’i ndalim planet e Rusisë.

“Ashtu siç keni qëndruar pranë nesh, sot jeni me Ukrainën. Populli i Kosovës gjithashtu qëndrojnë krah Ukrainës, siç e kemi treguar duke miratuar sanksione në ditën e njëjtë që e kanë miratuar SHBA-ja dhe BE-ja dhe gjithashtu iu kemi bërë thirrje të gjitha shteteve të rajonit të bëjnë të njëjtën”.

“Jemi të kënaqur të punojmë bashkë me ju, për të qëndruar në front të mbrojtjes së demokracisë dhe vlerat tona të përbashkëta. Bashkë me kryeministrin mirëpresim diskutimin për reformat, sidomos në sundimin e ligjit që ne i kemi filluar në vendin tonë”.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministr Albin Kurti gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken

Osmani ka falënderuar Blinkenin për mbështetjen që Amerika i ka dhënë vendit tonë në fushën e mbrojtjes në misionet jashtë vendit që ka bërë FSK me marinën amerikane.

Theksojmë se ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Ndërkohë, të mërkurën krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.

Këtë marrëveshje pritet ta nënshkruaj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo pasi, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)./Shqip.com