Lajme

Opozita nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratojnë asnjë nismë nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, përfshirë këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare. Rezerva kanë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Monitoruesit e punës së Kuvendit po thonë se kjo do të ketë pasoja tek institucionet qendrore dhe vet qytetarët. Ndërkaq sipas deputetit të VV-së, Dimal Basha, vlera e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin votimin në Kuvend është 300 milionë euro.

Koalicioni në pushtet nuk po arrin që t’i sigurojë numrat për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo pasi opozita nuk po i mbështet me votë pro. Nga PDK-ja janë shprehur kategorikisht kundër votimit të këtyre marrëveshjeve. Edhe LDK e AAK nuk po janë të gatshëm të votojnë.

Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol ka thënë për Express se nga mosmiratimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, pasojat i bartin institucionet qendrore dhe qytetarët.

Kjo pasi sipas saj, nga mos miratimi i tyre nuk mund të zhvillohen shumë procese të tjera që lidhen me interesat e qytetarëve.

“Nga mos miratimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare, pasojat sigurisht i bartin institucionet qendrore dhe gjithashtu qytetarët e Republikës së Kosovës sepse nga mos miratimi i tyre nuk mund të zhvillohen shumë procese të tjera e sidomos kur kemi të bëjmë me marrëveshje që prekin interesat e qytetarëve, thënë shkurt qytetarët janë ata që do t’i vuajnë pasojat e nga mosbashkëpunimi i partive politike në Kuvend”, ka thënë ajo për Gazetën.

Sa i përket mundësisë që puna në Kuvend të bllokohet si pasojë e mosmiratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, Bunjaku deklaroi se kjo çështje s’paraqet rrezik.

“Nuk parashihet si rrezik bllokimi i punës së Kuvendit, ani pse marrëveshjet ndërkombëtare parashihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe është obligim i secilit deputet që të votojë për ato.  Por siç po shkon puna ne Kuvendin aktual ku po kemi probleme edhe për miratim të ligjeve ku duhet të votoj vetëm një shumicë e thjeshtë, mund të imagjinohet se sa problematike do të jetë të kalojnë këto marrëveshje, shto këtu faktin që partitë opozitare, PDK-ja kanë deklaruar se nuk do të votojnë këto marrëveshje”, ka thënë tutje ajo.

Për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka reaguar sot edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. Ai tha se pasi Kuvendi nuk po arrin që të kalojë marrëveshjet ndërkombëtare, legjislatura është më mirë mos me eksistu fare.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare deri kur të merret vendimi për shkuarje në zgjedhje të reja.

“GP i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare e ka qëndrimin e qartë për të gjithë projektligjet që vijnë këtu në Kuvend. Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi është që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që të dakordohemi kur ta çojmë vendin në zgjedhje, ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jofunksionale jemi dakord që brenda asaj dite do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Pra, atë ditë që ne dakordohemi që të shpërbëhet ky Parlament, të njëjtën ditë do t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Por, jo me këtë jonfunksionalitet që është duke vazhduar që një kohë të gjatë nuk ia vlen me shpenzimin e parasë publike”, tha Tahiri.

Rezerva për votimin e këtyre marrëveshje patën edhe nga LDK-ja. Kjo parti nuk mori pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare sot, edhe pse shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi kritikoi pozitën për deklaratat se LDK-ja nuk po ua voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Meqenëse në vazhdimësi kemi parë shpifje dhe të pavërteta nga Ministri I Financave që deklaron në ‘Facebook’ se LKDK-ja nuk po I voton marrëveshjet ndërkombëtare nuk është e vërtetë, sepse ne I kemi përkrahë  përveç nja marrëveshje, të gjitha të tjerat. Poashtu të njëjtën gjë e ka bërë kryetari I Komisionit të Ekonomisë, duke mos e përmendur në mënyrë eksplicite LDK-në por duke e gjeneralizuar opozitën. Mendoj që është e padrejtë,  e pasaktë dhe e paduhur dhe nuk I kontribuon konsensusit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Në po të njëjtën seancë as AAK-ja nuk mori pjesë në votimin e një marrëveshje ndërkombëtare.

Kështu këto marrëveshje dështuan të miratohen në mungesë të 2/3 të votave.

VV thirrje opozitës që t’i mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha për EO, se kanë vërejtur një tendencë e tri partive opozitare në Kuvend kundër këtyre marrëveshjeve.

Madje ai tha se opozita nuk asnjë arsyeje që mos të votojë për tri marrëveshje shumë të rëndësishme që tash janë në rend dite.

E deputeti i VV-së, Dimal Basha tha sot se vlera e marrëveshjeve ndërkombëtare që pon presin të votohen në Kuvend është 300 milionë euro.

“Janë mbi 300 milion euro marrëveshje ndërkombëtare që presin të votohen me 80 vota në Kuvend, por opozita nuk i voton ato, me arsyen se Kosova po ballafaqohet me masa nga BE! Masat janë sepse Lajçaku i ka rekomandu padrejtësisht ato për me zbraps Kryeministrin nga veriu, mirëpo ngjarjet e fundit po besoj treguan qartë se kush kishte të drejtë! Megjithatë opozita po vazhdon të sillet njejtë sikur Lajçaku me Kosovën! Kosova sot më shumë po sanksionohet nga opozita, se sa nga Lajçaku!”, tha ai.

Për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Këto marrëveshje sipas Ligjit, i dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria.

/Shqip.com