Lajme

Opozita i reagon Bislimit për videon e publikuar nga VV-ja

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane është duke e zhvilluar mbledhjen e radhës, në prani edhe të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Në disa momente debati është zhvendosur dhe deputetët e opozitës e kanë akuzuar partinë e Bislimit, për videon e postuar para dy ditëve, ku ekspozoheshin figurat kyqe të partive që kanë udhëhequr me Kosovën për 20 vite.

E para që ka reaguar është deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, që tha se publikimi i videos është i turpshëm.

“Po e shihni që opozita s’po ju pengon. Po e fajësoni opozitën për dështimet tuaja kur keni dy vite në qeveri”, deklaroi deputetja Deliu.

Ndërsa më e zëshme ishte deputetja tjetër e opozitës, Time Kadrijaj, që tha se videot poshtëruese po i detyrojnë ata që të lëshojnë seancat plenare dhe të mos votojnë ligjet e propozuara.

“Nëse vazhdoni prapë me ndonjë video poshtëruese, denigruese, atëherë na detyroni që në seancë ta lëshojmë dhe të mos i votojmë edhe prapë do të humbë Kosovë, nuk humbni ju. Si Qeveri vazhdoni ndërtoni koncensusin dhe mos na sulmoni opozitën me video tjera tmerruese”, tha Kadrijaj në në Komisionin për Integrim Europian që po mbahet aktualisht.

Vetëvendosje, përmes faqës zyrtare në rrjetin Facebook, para 2 ditëve e kishte postuar një video, që akuzonte figurat si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e të tjerë, për shkatërrimin e shtetit për 20 vite./Shqip.com

/Shqip.com