OKB reagon pasi Kosova e shpalli “non grata” zyrtarin rus të UNMIK-ut

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar duke e lëshuar një deklaratë zyrtare pasi Kosova e shpalli “non grata” një zyrtar rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Sipas zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Djuarric, UNMIK-u nuk ka pranuar nga autoritetet e Kosovës asnjë njoftim se një zyrtar rus i këtij institucioni është shpallur person i pa dëshiruar. OKB-ja e konsideron të pazbatueshme “non grata”-n e Kosovës për zyrtarin rus.
“Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Për Djuarric, çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij.
“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”, përfundon komunikata.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të premten e 31 dhjetorit e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.
Shkaku ishin veprimtarite e tij të dëmshme të tij, të cilat kanë cenuar sigurinë kombëtare.
Gërvalla ka theksuar se një lidhje me këtë vendim ishin njoftuar edhe institucionet ligj-zbatuese dhe autoritete përkatëse për zbatimin e këtij vendimi./SHQIP.com