Lajme Botë

OKB kërkon tërheqjen e Rusisë nga Ukraina

Organizata e Kombeve të Bashkuara

Kombet e Bashkuara pritet të votojnë një rezolutë që kërkon tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës.

Përderisa rezoluta nuk është e detyrueshme, votimi do të shfaqë mbështetjen për Kievin nga e mbarë bota, teksa lufta po vazhdon dhe të dyja palët po përgatiten që të intensifikojnë luftimet në pranverë.

Të mërkurën, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, hapi seancën e posaçme të Asamblesë së Përgjithshme duke dënuar pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt 2022.

“Ky pushtim është sulm ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, tha Guterres, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje delegatëve që të mbështesin rezolutën që sponsorizohet nga aleatët e ngushtë të shtetit të tij.

Lexo edhe:
Ukraina përgatitet për sulme të mundshme ruse në përvjetorin e pushtimit

Por, përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, e quajti Ukrainën “neo-naziste” dhe e akuzoi Perëndimin se po e sakrifikon këtë shtet dhe botën e zhvilluar për dëshirën e saj që ta mposhtë Rusinë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se rezoluta do të shfaqë fuqinë e mbështetjes botërore për Kievin.

Në anën tjetër, masat e sigurisë janë zbatuar në të gjithë Ukrainën përballë sulmeve të mundshme ruse të premten, e cila shënon saktësisht një vit nga fillimi i pushtimit të Moskës.

/Shqip.com