Ofendime mes VV-së dhe PSD-së në Kuvendin Komunal në Prishtinë – flasin të përfshirët

Teksa po diskutohej rreth projekt-buxhetit për vitin 2022 të Komunës së Prishtinës, plasi debati që kaloi edhe në gjuhë ofenduese ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.
E përfshirë ishte Vala Peshku, këshilltare komunale dhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci.
Për nisjen e krejt kësaj, Peshku në një përgjigje për Shqip.com, thotë se “e kishte të pamundur të fliste për shkak se pengohej nga dy asamblistët Egzon Azemi dhe Berat Lahu”.
“Kush ka kërcënuar shihet në video – e gjithë seanca ka qenë e monitoruar nga kamerat”, ka thënë Egzon Azemi për Shqip.com
Ndërsa, Besnik Mujeci – i cili i është drejtuar Peshkut me “a ke fytyrë”, ka marrë reagimin e kësaj të fundit”.
“Ti jap vesht n’dorë”, pas këtyre fjalëve këshilltarja komunale ngrihet në këmbë.
Video është publikuar nga vetë asamblisti në rrjetin social Facebook
I pyetur nga Shqip.com për incidentin, Mujeci thotë se përpara kishte një grua dhe nuk dëshiron që të reagojë në lidhje me këtë.
“U detyrova me publiku atë video me pa tjerët përditshmërinë tonë”, tha ai.
Vale Peshu deklaroi se asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë asaj dhe asamblistes Mimoza Sylejmani se “këmba e tyre nuk do të shkelë në Kuvendin Komunal të Prishtinës”.
“Reagimin e bëra kur më tha se ti s’ki fytyrë as para famijes”, tha Peshku për Mujecin.
Ky i fundit theksoi për Shqip.com se “për nga natyra dhe bindjet është feminist”, duke aluduar në mos-vazhdimin e acarimit të situatës.

Historia VV-PSD
Albin Kurti, Dardan Molliqaj e Shpend Ahmeti, ishin bashkë në protesta e tubime partiake.
Në vitin 2013 arritën ta përmbysin Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës – duke thyer kështu bastionin e parë të madh në Kosovë.
Së bashku, në zgjedhjet e qershorit 2017, arritën të merrnin mbi 27 për qind të votave.
Por, qeverinë s’e krijuan – pasi Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate – kishin koalicion zgjedhor dhe bashkë me Behgjet Pacollin të shkëputur nga koalicioni me LDK-në e formuan qeverinë “PAN”, me kryeministër Ramush Haradinaj.

Pas disa muajve ishte testi tjetër serioz; zgjedhjet lokale.
Lëvizja Vetëvendosje po garonte me Shpend Ahmetin sërish – kishin sukses. Ahmeti në balotazh e mposhti Arban Abrashin e LDK-së, një fitore që diferencën e bëri “një grusht votash”.
Por, triumfi në kryeqytet do të ishte i fundit i përbashkët për Kurtin, Ahmetin e Molliqajn.
Kjo pasi një mesazh i papërshtatshëm në një grup viberi u bë shkak që përçarja e brendshme të shpërfaqet në publik.
Në janar, 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje u larguan nga subjekti politik që udhëhiqej nga Visar Ymeri, por edhe ky i fundit ishte nga të pakënaqurit me Albin Kurtin.

Kurti e mori sërish drejtimin e partisë, ndërsa Shpend Ahmeti e kapi udhëheqjen e subjektit politik që më parë në krye ka pasur figura si Agim Çeku e Kaqusha Jashari.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD ishte në koalicion me AAK-në. Asnjë kandidatë i PSD-së për deputetë s’mori ulëse. Ndërsa VV arriti t’i fitonte zgjedhjet.
Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga partia për t’ia dorëzuar atë Dardan Molliqaj i cili vazhdon udhëheqjen, njëkohësisht edhe aksionet kundër Qeverisë së Kurtit.
Pos aksioneve, nga ajo që shihet PSD e VV kanë përplasje edhe në Kuvendin Komunal të kryeqytetit. /Shqip.com
