Lajme

Oda Ekonomike e Kosovës e përçarë, Rafuna dhe Mazreku i drejtohen gjykatës

Zgjedhjet e fundit kanë përçarë Odën Ekonomike të Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit, Sami Mazreku, iu është drejtuar tri institucioneve duke kërkuar interpretim dhe hetim për zgjedhjen e Lulezim Rafunës në krye të odës, me pretendimet se i njëjti ka konflikt interesi.

Sipas shkresave të siguruara nga Shqip.com, Mazreku pretendon se Rafuna vazhdon të mbaj pozitën në Doganë të Kosovës, si këshilltar i drejtorit.

Këto kërkesa Mazreku i ka bërë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Inspektoratin e Punës si dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Për Shqip.com Mazreku ka thënë se është në pritje të interpretimit nga institucionet e lartpërmendura.

“Pretendimet e mija i kam të vendosura në letër dhe i jam drejtuar organeve, të cilat janë përgjegjëse për këtë punë, ku e kam cekur se ka konflikt interesi. Prokurorinë e kam njoftuar se unë e kam iniciuar rastin e konfliktit të interesit tek ATK-ja”, ka thëne Mazreku.

Sipas tij, kreut të ri të OEK-ut i është ofruar kontrata e punës për t’u nënshkruar, por Rafuna ka refuzuar.

Tutje, kryesuesi i Kuvendit të OEK-ut thotë se arsyeja e mosnënshkrimit të kontratës është se Rafuna dëshiron të mbajë edhe një pozitë tjetër në Doganën e Kosovës.

“I kam ofruar kontratën e punës dhe ai nuk ka dashur që ta nënshkruaj, pasi i njëjti dëshiron që t’i mbajë dy pozita, atë në Doganë të Kosovës dhe në Odën Ekonomike, dhe mendon që pozita në Odën Ekonomike është pozitë politike që realisht nuk është”.

Mirëpo në Doganën e Kosovës kanë dhënë informacione tjera për Shqip.com.

Zëdhënësi i saj, Adriatik Stavileci ka thënë se Rafuna nuk është më i punësuar, pasi kërkesa e tij për ngrirje të pozitës është refuzuar.

“Zyrtari për të cilin keni kërkuar informata, ka kërkuar që të pezullojë vendin e punës. Drejtori i Doganës duke u mbështetur në këshillat ligjore, i ka refuzuar kërkesën e tillë si kërkesë që nuk gjen mbështetje ligjore, rrjedhimisht zyrtari në fjalë më nuk ka asnjë marrëdhënie formale me Doganën e Kosovës”, tha Stavileci.

Rafuna kërkon dëmshpërblim nga Mazreku për shpifje

Ndaj Mazrekut tashmë ka ngritur padi, kreu i OEK-ut, Lulezim Rafuna.

“Nuk kam asnjë mendim për pretendimet e tij se tashmë unë kam ngritur padi për këto shpifje. Me personin në fjalë do të shihemi në gjykatë”, tha Rafuna.


Në padinë e siguruar nga Shqip.com, thuhet se Rafuna kërkon nga Mazreku dëmshpërblim prej 1500 eurosh për shpifje, për shkak të veprës penale “Mashtrim”, “Keqpërdorim i autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”.

“Personi i kallëzuar, në cilësinë e personit zyrtar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka parashtruar kërkesë për hetim-vlerësimin e ekzistimit të konfliktit të interesit lidhur me angazhimin e z.Lulzim Rafuna në detyrën e Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës”, thuhet në padi.

Lulzim Rafuna është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës në korrik të këtij viti, për një mandat katër vjeçar./Shqip.com