Oda e Përmbaruesve Privat: Shkelje ligjore suspendimi i Ilir Mulhaxhës nga MD-ja

Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës e ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për suspendimin e përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha.
Përmes një deklarate për media, OPPK-ja thotë se me anë të këtij vendimi, MD-ja ka bërë shkelje ligjore.
“Oda beson se parimet dhe procedurat e drejtësisë ashtu si edhe procedurat tjera përkatëse duhet të respektohen nga të gjithë dhe në çdo kohë. Oda e ka parasysh faktin se Ministria e Drejtësisë ka kompetencat e saj të caktuara, por Oda konsideron se ne vendimin konkret Ministria e Drejtësisë thjeshtë ka shkelur ligjin”, thuhet në deklaratën e Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës.
Sipas kësaj Ode, MD-ja ia ka vënë ‘lakun’ në fyt sistemit të përmbarimit.

“Oda konsideron se dje Ministria e Drejtësisë e vërtetoi se përmes vendimit në fjalë, ashtu si edhe disa vendimeve tjera të mëparshme, me dy këmbë ka hipur në qafën e sistemit të përmbarimit, i ka lëkundur themelet e sistemit të drejtësisë dhe ia ka vënë lakun në fyt sistemit të përmbarimit”.
Ministria e Drejtësisë ka suspenduar nga puna përmbaruesin privat Ilri Mulhaxha.
MD suspendon nga puna përmbaruesin privat, Ilir Mulhaxhën – SHQIP.com
Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili publikoi edhe vendimin.
Sallahu tha se përmbaruesi deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro të llogaritur gabimisht të Telekomit.

“Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova Vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit”, shkroi Sallahu.
Tutje, Sallahu tha se ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë.
/Shqip.com