Kulturë

Nusja nga Çikago transformohet për dasmë tradicionale në Kosovë

Për boshnjakët në fshatin Lubinjë e Epërme të Kosovës, ceremonia e martesës është një formë arti, shkruan Reuters.

Duke ruajtur një traditë shekullore, ngjarja dy-ditore është një festival muzike dhe vallëzimi për të shfaqur një nuse të shkëlqyer me kostumin tradicional boshnjak.

Amerikania Melissa Guerrero ishte e mahnitur kur mori pjesë në një dasmë tradicionale në vizitën e saj të parë në Lubinjë të Epërme, afër qytetit të Prizrenit, në vitin 2013 për të takuar familjen e të dashurit të saj të shkollës së mesme. Asaj i pëlqej aq shumë sa që ëndërronte të bënte një dasmë të ngjashme edhe vetë.

Javën e kaluar Melissa, 30 vjeçe, e realizoi atë ëndërr. E veshur nga koka te këmbët me kostum tradicional, fytyra e saj e lyer dhe pika të kuqe, blu, ari dhe argjendi, ajo u martua me Melsid Rexhepin, i cili është nga një familje boshnjake në Kosovë. Ai ishte shtatë vjeç kur filloi lufta në Kosovë dhe familja e tij u shpërngul në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa Melissa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e fortë e daulleve luante ndërsa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjat rreth dy orë gjatë së cilës nusja nuk mund të hapë sytë, të flasë me askënd ose të hajë ose pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për një festë për qindra njerëz.

“Kur erdha për herë të parë në vitin 2013, isha dëshmitare e një dasme këtu dhe thjesht mendova se ishte kaq e pasur dhe kaq e veçantë dhe është diçka që nuk e kisha parë kurrë askund tjetër në botë,” tha Melissa, e lindur në Meksikë përpara se familja e saj të emigronte në Shtetet e Bashkuara kur ajo ishte 11 vjeç.

Ajo u takua me Melsidin në shkollën fillore në Çikago. “Të gjitha ato linja dhe ato ngjyra në fytyrën e nuses simbolizojnë lumturinë, dashurinë, respektin, harmoninë7 e kështu me radhë,” tha Xhavit Rexhepi, një ish-profesor i biologjisë, i cili ka shkruar një libër mbi traditat lokale në zonë.

Megjithëse piktura dhe kostume të ngjashme të fytyrës, të cilat janë me origjinë pagane, mund të gjenden në komunitete të tjera në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia.

Arti që po vdes? Popullsia e Lubinjës është përgjysmuar nga rreth 3,000 banorë sa kishte 20 vjet më parë. Shumë prej tyre emigruan jashtë vendit. Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar për dasma, pasi shumë njerëz të cilët vinë nga ky fshat, kthehen për ta vizituar atë. Kështu, në fshat për çdo ditë organizohet nga një dasmë e ndonjëherë edhe nga dy në ditë. “Nëse njëherë ke lindur këtu, nuk mund të ikësh më”, ka thënë Melsidi, dhëndri.

Megjithatë, çdo vit e më pak persona dëshirojnë të bëjnë një dasmë të tillë tradicionale. Tani ekziston vetëm një grua që di ta bëjë këtë lloj grimi.

Aziza Sefitagiq, e cila është në fund të 60-ave, është përpjekur t’ua mësojë artin e saj grave të tjera në fshat, por shumica e tyre kanë emigruar në vendet perëndimore. “Unë vetëm shpresoj se kjo traditë nuk do të vdesë me mua”, ka thënë Sefitagic, teksa pikturonte fytyrën e Melisës.