Lajme Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, në një përgjigje për Shqip.com ka thënë se numri i madh i kuotave të studentëve në disa programe po bëhet jo pse ka nevojë tregu por që duhet të plotësohet fondi i orëve për staf akademik.

Numri i lartë i studentëve në disa drejtime universitare në shpërputhje me nevojat e tregut

Universiteti i Prishtinës/Ilustrim

Në programet e studimit universitar si juridik e ekonomik, për vite të tëra pranohen numër i lartë i studentëve.

Krejt kjo, pa bërë një analizë nëse tregut i nevojiten ende persona të kualifikuar në numër të lartë nga këto drejtime.

Përfaqësuesi i studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Florian Musliu ka thënë për Shqip.com se në këtë fakultet do të pranohen rreth 600 studentë.

“Aplikante kemi nga e gjithë Kosova, si numër ma i madh nga qytetet te cilët vijnë janë nga Prishtina, Mitrovica, Gjakova dhe Prizreni. Ndërsa, numri i studenteve që do të pranohen janë 600 duke përfshirë kandidatet të komunitetit jo-shumicë dhe kandidatët nga jashtë Kosova”, tha Musliu.

Njohësit kërkojnë që programet të korrigjohen bazuar në kërkesën e tregut

Sipas profesori universitar,  Blerim Reka, disa programe duhet të korrigjohen në bazë të kërkesës së tregut.

“Tregu i punës është rregullatori më i mirë dhe disa programe duhet të korrigjohen. Tani më është kërkesë edhe nga Agjencia e Akreditimit”, tha Reka për SHQIP.com.

Mendim të njëjtë me profesorin ndan edhe njohësi i çështjeve të arsimit në Kosovë, Rinor Qehaja, i cili thotë se numri i kuotave për studentët në programet e juridikut dhe ekonomikut po bëhet për t’i plotësuar numrin e orëve stafit akademik.

“Numri i madh i kuotave për studentë në programet e juridikut dhe ekonomikut nuk përkon me kërkesën e vërtetet të tregut, dhe e njëjta, vlen edhe për plot programe tjera. Pra, programe të studimit jo pse ka nevoje tregu por sepse duhet të plotësohet fondi i orëve për staf akademik – dhe kjo duhet të ndryshoj”, tha Qehaja.

Kurse Reka thotë se në drejtimet që ka konkurrencë të madhe, duhet rritur stafi akademik.

“Në të gjitha ato drejtime ku kemi një konkurrencë të madhe duhet të rriten resurset pra, stafi akademik dhe laboratorët, dhe me këtë edhe numri i studentëve të pranuar. Të rinjtë tanë janë shumë mirë të njohur me kërkesat e tregut për sot dhe për të ardhmen, ata mikun më të mirë e kanë Google, dhe aty janë përgjigjet”.

Megjithatë Musliu thotë se të diplomuarit në Fakultetin Juridik mund të bëjnë zgjidhje sa i përket punësimit.

“Nuk do te thotë se numri i madh i të diplomuarve në Fakultetin Juridik, nuk do t’i përballojë tregu i punës. Kemi shume nga të diplomuar qe sot kane hapur avokatit e tyre, apo janë pjesë e departamenteve ligjore në institucione shtetërore apo kompani private. Duke pasur parasysh shtimin e kompanive të ndryshme private, organizatave padyshim që çdoherë do të kërkohet ne tregun e punës jurist”.

Qehaja tha se studentët kanë nevojë për orientim në karrierë dhe të dhëna të sakta se ku është punësimi.

Ndërkaq, Musliu tha se Kosova ka nevojë më shumë për programe të shkencës, teknologjisë, informatikës dhe matematikës si dhe MASHTI duhet të rris mbështetjen për këto programe./Shqip.com