Numër jo i madh i udhëtarëve, Trafiku Urban nuk do rris çmimet e linjës për aeroport

Shumë qytetarëve të Komunës së Prishtinës u është ofruar transporti me autobusët e Trafikut Urban për të udhëtuar drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Linja A1 ka hyrë në funksion nga data 1 maj të vitit 2019.
Por numri i udhëtarëve që e shfrytëzojnë këtë linjë transporti nuk është edhe aq i madh.
“Numri i udhëtarëve i përafërt që e shfrytëzojnë këtë linjë është rreth 120 qytetarë në ditë dhe se numri ndryshon në sezonin e pushimeve, ku vërehet fluks shumë më i lartë”, thonë nga Trafiku Urban për Shqip.com.
Çmimi i biletës për një drejtim është 3 euro, ndërsa Trafiku Urban ka thënë se nuk planifikojnë që të ketë rritje të çmimit të biletës
“Çmimi i biletës vazhdon të jetë i njëjti dhe se nuk përfshihet ne çmimoren e re të biletimit”, thonë për Shqip.com nga Trafiku Urban.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, kanë thënë se kjo linjë po shfrytëzohet nga qytetarët.
“Po është një linjë që e shfrytëzojnë udhëtarët, pasi ka një çmim më të përballueshëm për xhepin e tyre. Edhe autobusi që ka destinacion Aeroportin e Prishtinës ofrojnë kushte të përshtatshme për udhëtim”, thotë Valentina Gara, Zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Nga Trafiku Urban thonë se këtë vit pritet që të fillojnë procedurat e prokurimit për blerjen e autobusëve të rijnë.
“Gjate vitit 2023, planifikohet fillimi i procedurave të prokurimit për blerjen e 30 autobusëve të ri sipas procedurave të BERZH-it, si dhe projektimin e shpërndarjes se flotës se autobusëve sipas dizajnimit të rrjetit të ri të linjave në lagjet e pa mbuluara me transport publik”.
Shqip.com ka pyetur edhe kompanitë e Taksive në Prishtinë lidhur me çmimet që ata si kompani ofrojnë për të qytetarët që kanë destinacion Aeroportin.
Nga shumë kompani për Shqip.com thonë se çmimi për destinacionin Prishtinë-Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, është nga 12 deri në 15 euro.
/Shqip.com