Lajme

“Nuk ka arkiva të UÇK-së Albin, as nuk ka pasur ndonjëherë”

Pal Lekaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se me palën serbe në Bruksel janë pajtuar për hapjen e arkivave shtetërore të Kosovës, përfshirë ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk ka arkiva të UÇK-së, Albin, as nuk ka pasur ndonjëherë”, ka thënë Lekaj, derisa ka shtuar se Kosova s’ka pasur kohë për të krijuar arkivave, pasi ishte në luftë.

Lexo edhe:
Klinaku – Bislimit për hapjen e arkivave: Është njëjtë sikur të pajtohesh se “Kosova është krahinë e Serbisë”

Sipas tij, Qeveria Kurti po i dhuron Serbisë “në pjatë të argjendtë atë që as Beogradi i Vuçiqit, nuk e kishte imagjinuar, UÇK-në, lirinë e Kosovës”.

“Për Kurtin dhe profesorët e tij, UÇK është baraz me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe, vrastare dhe kriminale, është baras me vuajtjet e një populli që u shtyp, u persekutua, u vra dhe u dhunua nga Millosheviqi dhe ata që i shërbyen atij”.

“Kurti dhe profesorët e tij po bëjnë marrëveshje me Serbinë, por jo për drejtësi, paqe, zhvillim ekonomik dhe njohje të reja, por për UÇK-në. Jo në Shtëpinë e Bardhë, po nëpër skuta në Bruksel”, ka shkruar ndër të tjera Lekaj në profilin e tij në Facebook.

Pas takimit dyditor në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij serb, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave, duke përfshirë edhe ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta.

Ndërkohë, kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, tha se kjo marrëveshje është në interes të Kosovës./SHQIP.com