Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë për herë të parë në rezolutën e PE-së

Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme ka votuar raportin që thekson se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke.
Ky është amendamenti 24 i cili konfirmon mbështetjen e qartë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe vlerëson punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.
Për këtë raport votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.
“Është e rëndësishme që autoritetet e Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e bazuar në njohjen reciproke, e cila është kyçe për përparimin e të dy vendeve në rrugët e tyre evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.”, u tha gjatë mbledhjes.
Më pas kërkohet nga të dyja palët që të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur.
Theksojmë se Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.
@EP_ForeignAff votes the report which underlines that the final agreement btw #Kosovo and #Serbia should be based on mutual recognition. This is the first time that one #EU institution mentions the elephant in the room in the official document
— Gjeraqina Tuhina (@gjeraqina) June 14, 2022
Në raportin për Kosovën i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në atë të Serbisë për herë të parë thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Kurse, në raportin e Bosnjës dënohet ashpër çdo përpjekje, e cila minon shtetësinë e këtij vendi./Shqip.com