Lajme

Njohësi i sigurisë: Mungon vullneti politik për heqjen e barrikadave

Veriu i Kosovës

Avni Islami, njohësi i çështjeve të sigurisë, ka thënë se Bashkësisë ndërkombëtare po i mungon vullneti politik për largimin e barrikadave të vendosura tash e 17 ditë në Veri të vendit.

Tutje, ai ka thënë se sulmi i mbrëmshëm afër patrullës së KFOR-it me mjete shpërthyese në Zubin Potok është veprim i sinkronizuar me qeverinë serbe.

Islami në një intervistë për KosovaPress thekson se veprimet nga grupet kriminale serbe në veri janë të rrezikshme.

Sipas tij, qeveria e Serbisë po i ndërmerr të gjitha këto veprime në kohën kur po flitet për një afat për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Janë veprime të matura dhe të rrezikshme, por të gjitha ato veprime që po i bëjnë janë në pajtim, koordinim, sinkronizim me Vuqiçin, asnjë veprim nuk mund të bëhet pa lejen e tij. Dhe rasti i mbrëmshëm ku vetë KFOR pranoi dhe tha në një deklaratë se janë sulmuar forcat e KFOR nga grupet e panjohura tregon seriozitetin e qeverisë serbe në raport me veriun e Kosovës ku me çdo kusht është i interesuar ta përshkallëzoj dhunën dhe situatën në atë pjesë që për interesa të veta ta rris pazarin ku veç mendohet se është fundi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për një pajtim të përgjithshëm”, ka thënë Islami.

Islami, e konsideron se po mungon vullneti politik i bashkësisë ndërkombëtare që barrikadat e vendosura tash e 17 ditë në veri të Kosovë të largohen.

Sipas tij, duke i lënë këto barrikada po tentohet të bëhet presion karshi Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Është duke munguar vullneti politik i bashkësisë ndërkombëtare që ato barrikada të hiqen sa më parë, kjo është duke u bërë në një mënyrë që Qeverisë së Kosovës t’i bëhet presion për formimin e asociacionit të komunave sa më parë që të jetë e mundshme sepse deklaratat e përfaqësuesit special të SHBA-së, Escobar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon asociacionin e komunave ne do ta bëjmë me shoqërinë civile dhe të tjerë, kjo është deklaratë diplomatike dhe kjo tregon se Qeveria e Kosovës duhet ta formojë Asociacionin, edhe unë jam i mendimit që asociacioni i komunave duhet të formohet”, thotë Islami.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami thotë se vetëm me një vendim politik të marrë nga Qeveria e Kosovës mund të largohen këto barrikada.

/Shqip.com