Njëri nga rusët e përfshirë në sulmin në Gramsh pranon se punonte për shërbimet sekrete ruse

Një nga rusët e arrestuar në Gramsh ka pranuar se ishte porositur për të bërë foto në disa vende të Shqipërisë.
Sipas burimeve të Top Channel, shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në Shqipëri, por thotë se nuk ka më shumë informacione.
Siç raporton Tch, të mërkurën ose të enjten, tre të arrestuarit që u kapën të shtunën në Gramsh do të dalin para gjykatës.
Ata po hetohen me akuzën spiunazhit dhe po mbahen në drejtorinë e policisë së Elbasanit ku janë marrë në pyetje nga prokurorët.
Ndërkohë, gjykata u ka caktuar avokatë, të cilët janë takuar sot me klientët e tyre.

Siç raporton Euroneës Albania, prokurorët kishin dyshime se dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas janë spiunë dhe kanë përdorur telegramin për komunikim. Andaj pritet ekzaminimi i aparateve celulare që u janë gjetur tre të huajve.
Deri më tani hetuesit dyshojnë se të arrestuarit janë pjesë e agjencive të huaja sekrete dhe se paraqitja e tyre si turistë eksplorues ishte kamuflim.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi të dyshuarit rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”./Shqip.com