Lajme

Një nga të aksidentuarit në Kroaci ende gjendet në mjekim intensiv

Aksidenti tragjik i autobusit kosovar në Kroaci

Një nga të aksidentuarit në Kroaci nga aksidenti i rëndë që mori jetën e 10 personave, është ende në mjekim intensiv, transmeton Shqip.com.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i ka shkruar letër kryeministrin Albin Kurtit ku e njofton për gjendjen e tij.

Sipas komunikatës nga ZKM-ja, Plenkoviqi ka thënë se 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë.

“Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik”, thuhet në komunikatë.

Duke i shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive”.

Plenkoviq ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën euroatlantike të Kosovës, në aspektin politik dhe gatishmërinë për të vazhduar ndihmën për reforma.

Kurti do të takohet me Plenkoviqin në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, më 1 shtator. /Shqip.com