Lajme

Një muaj paraburgim ndaj tre personave për tentimgrabitje dhe plagosje në Prizren

Seanca gjyqësore

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre të pandehurve Ruzhdi Fejzullahu, Leotrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku për tentimgrabitjen si dhe plagosjen në një argjendari në Prizren, përcjell Shqip.com.

Masa ndaj tyre është vendosur të enjten në seancën dëgjimore që është mbajtur nga ora 18:00 në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se Ruzhdi Fejzullahu mund të ketë kryer veprën penale “ndihma në grabitje”, dhe të pandehurit Leotrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku mund të kenë bashkëkryer veprat penale “grabitja në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, “grabitje”, “sulm ndaj personit zyrtar” si dhe “ dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë”.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, tha se duke marrë parasysh lartësinë e dënimeve që mund t’iu shqiptohen atyre dhe se deri më tash ata kanë qenë të fshehur, ekziston dyshimi i bazuar për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

Po ashtu, prokurori Biraj theksoi se ka rrezik të arratisjes të së dyshuarve apo fshehjes së serishme e si rezultat i kësaj mund të pamundësohet zhvillimi i procedurës penale si dhe rrethanat e posaçme tregojnë se të pandehurit do ta pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke tentuar t’i falsifikojnë apo ndryshojne provat e veprës penale ose duke ndikuar tek dëshmitarët.

Ndryshe, sipas aktakuzës,, i pandehuri Ruzhdi Fejzullahu me dashje ka ndihmuar personat e tjerë për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që të më 13 nëntor në fshatin Lluzhan të Podujevës, Leotrim Latifit dhe Ibrahim Qadrakut iu kishte dhënë një automjet duje qenë në dijeni se ata do ta grabisin një argjendari në Prizren.

Kurse, Leotrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku me dashje kanë ndërmarrë veprime për kryerjen e grabitjes, por që vepra penale nuk është kryer në tërësi, në atë mënyrë që më 15 nëntor në Prizren, duke vepruar në grup të armatosur kanë përdorur forcën që rezulton me lëndim të rëndë trupor.

“Me armë të zjarrta Ak- 47, pushkë të gjuetisë, pistoletë çekan dhe me një kuti të plastikës, me shpejtësi dalin para automjetit të tipit ‘Passat’, me ngjyrë të zezë, pa targa të regjistrimit dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së personit tjetër, në këtë rast të arit,  hyjnë në dyqanin e argjendarit “Orhani”, ku ishin pronari Orhan Kasemi dhe biri i tij – domtuari Ismet Kasemi dhe në ballafaqim me ta nuk arrijnë të marrin arin por që me armë të zjarrit shkrepin në drejtim të të dëmtuarit Orhan Kasëmi, të cilin e godasin ne abdomen, të cilit i shkaktojnë plagë të rënda trupore, kurse të dëmtuarin Ismet e godasin në këmbë e pastaj me shpejtësi me automjet gjegjës ikin nga vendin i ngjarjes në drejtim të rrugës regjionale Prizren- Suharekë”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë./SHQIP.com