Lajme

Ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj një serbi, akuzohet se mori pjesë në vrasjen e tre shqiptarëve

Prokuroria Speciale e Kosovës në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit M. P. i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës dhe po ashtu i Serbisë, për shkak të dyshimit “të bazuar mirë” se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Prokuroria tha se vepra penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile” është e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, ka marrë pjesë në vrasjen e viktimave Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme, ndërkaq i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës.

/Shqip.com