Ngjyrat e flamurit kroat ndriçojnë ndërtesën e Qeverisë si shenjë mirënjohje

Ngjyrat e flamurit të Kroacisë dhe mbishkrimi “Faleminderit Kroaci/Hvala Hrvatska”, kanë ndriçuar të premten mbrëma ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, përcjell Shqip.com.
Siç njofton kjo e fundit, ky veprim është bërë në shenjë falënderimi e mirënjohje ndaj shtetit kroat për ndihmën që ka ofruar për bashkatdhetarët pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod.
“Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për popullin dhe shtetin e Kroacisë. Faleminderit Kroaci!”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.
Në aksidentin e 25 korrikit që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës, mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.
Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.
Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.
Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com