Nga vendimi i Qeverisë e pësojnë edhe mësimdhënësit që nuk hynë në grevë

Vendimit të Qeverisë për të mos i paguar mësimdhënësit, të cilët morën pjesë në grevën e organizuar nga SBASHK-u, po ia shohin sherrin edhe ata që punuan gjatë shtatorit.
Pa pagë mbeti edhe mësuesja e Sh.F.M.U “Dardania” në Prishtinë, Elenë Stublla.
“Po është e vërtetë që nuk kam qenë pjesë e grevës dhe se kam punuar që nga data 1 shtator. Por as mua nuk me ka dalur paga”, tha Stublla për Shqip.com.
Sipas të dhënave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, pagat nuk janë ekzekutuar as për mësimdhënësit në komunat me shumicë serbe.
“Ne kemi anëtar edhe komunat me shumicë serbe, të gjashtat që janë. Me tre prej tyre që kam kontaktuar edhe në ato komuna nuk kanë marrë paga, edhe pse kanë punuar. Ka raste të ndryshme, por i gjithë sektori i arsimit sipas informatave që posedojmë nuk i janë ekzekutuar pagat”, ka thënë për Shqip.com, Sazan Ibrahimi.
Megjithatë, për mosekzekutimin e pagave, ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ua ka lënë fajin komunave, të cilat sipas saj nuk i kanë dërguar të dhënat për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Financave.
“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, shkroi Nagavci në rrjetin social Facebook.
Mirëpo, konstatimet e ministres i ka hedhur poshtë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, i cili ka thënë se të gjitha komunat e kanë kryer këtë obligim siç parashihet me ligj.

“Komunat i kanë kryer obligimet ligjore që i kanë pasur për dorëzimin e listave të punës deri më 10 shtator. Listat e pagave të cilat dërgohen nga komunat, duhet të ekzekutohen nga niveli qendror. Do të thotë që komunat i kanë kryer obligimet ligjore, të cilat i kanë pasur sa i përket listës së pagave, i kanë dorëzuar në Thesar”, tha Ibrahimi.
Kurse, sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri tha për Shqip.com se mosprocedimi i pagave për sektorin e arsimit, është tendencë e Qeverisë për të përçarë sindikatën.
“Ky është një tentim i Qeverisë për ta përçarë SBASHK-un, për shkak se një pjesë e madhe e shërbyesve civil nëpër komuna, kanë qenë në grevë dhe iu kanë dal pagat. Të njëjtit jemi dëshmitar që para disa muajve administrata e gjykatës ka qenë në grevë tre-katër javore dhe ata i kanë marrë pagat”, tha Ymeri.

Mosprocedimi i pagave, SBASHK-u dhe AKK-ja shqyrtojnë mundësitë pas 5 tetorit
Ymeri ka paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës nëse Ministria e Financave nuk jep sqarime për mostransferimin e pagave.
“SBASHK-u i ka fillu procedurat. Kemi dërgu në Ministrinë e Financave dhe tek Thesari kërkesën për me na informuar lidhur me ndalesën e pagave dhe kemi kërkua a ka ndonjë vendim të tillë për me i ndalu pagat me qëllim që nëse ka, do të kundërshtohet përmes organeve gjyqësor”.
Megjithatë, Ymeri nuk ka përjashtuar mundësitë e tjera të kundërshtimit të këtij veprimi, nëse ka vendim për ndaljen e pagave për mësimdhënësit
“Nëse anëtarësia kërkon ndonjë kundërshtim tjetër, do të ju përgjigjemi ashtu siç thotë anëtarësia”.
Kurse drejtori i AKK-së, tha se do të presin deri më 5 tetor dhe pastaj do të shikojnë se çfarë do të veprojnë.
“Ne si asociacion po shikojmë mundësinë, po presim deri më 5 tetor a do të ekzekutohen pagat dhe pastaj bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, do të shikojnë se çfarë do të veprojmë në të ardhmen”.
Ndërkohë, opozita e ka quajtur të padrejtë vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati.
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se ky vendim është i padrejtë dhe nëse nuk ekzekutohen pagat, atëherë do të mbledhin fonde për t’i paguar mësimdhënësit.
Miliona euro për serbët pa dalë në punë, faj i vetë ministrive – SHQIP.com
Kujtojmë se po bëhen shtatë vjet që kur Kosova ka punësuar nëpër ministri, punëtorë nga komuniteti serb.
Por, që nga ajo kohë asnjë nga ta nuk del në punë, e për këtë buxhetit të shtetit i kanë kushtuar mbi 6 milionë euro.
Ekipi i emisionit n ‘Shënjestër’ ka biseduar me ta për t’i parë arsyet e mos daljes në punë.
Në fund, faji del të jetë krejt institucional, pasi pavarësisht se i dinë problemet, zyrtarët përgjegjës, nuk ndërmarrim hapa për zgjidhjen e tyre. Përgjegjësit e tyre, nuk japin arsye për mungesën e reagimit.
Megjithatë, problem për institucionet që po shprehin vullnet t’i angazhojnë, po ju del të jetë kualifikimi i tyre arsimor./Shqip.com
/Shqip.com