Nga nesër mund të pajiseni me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga nesër në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Kosovë.
“Përderisa qytetarët të cilët vazhdojnë të qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të sotshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në komunikatën për media.
Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikën kufitare, Jarinje, për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.
Pak kohë më pas, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “askush s’mund të hyjë në Kosovë pa targa RKS”.
“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”, ka shkruar Sveçla në Facebook./SHQIP.com