Lajme

Nga Berisha te Meta, Ahmetaj dhe Ilir Beqaj, kreu i SPAK flet për dosjet e “nxehta”: Prokurorët kanë vepruar sipas ligjit

Në një takim informal me gazetarët kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj disa pyetjeve me interes që kanë të bëjnë me çështje konkrete ndaj të cilave organi i akuzës ka hetime apo akuza të paraqitura në gjykatë.

Në përgjigje të pyetjes nëse ka patur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën për detyrim paraqitje për ish-kryeministrin, Sali Berisha, sikundër edhe juristët janë ndarë nëse do duhej apo jo autorizim nga Parlamenti Dumani dha këtë përgjigje:

“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurororisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli” ka thënë i prerë Dumani duke shtuar se tani çështja i takon Gjykatës”.

Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimet ndaj Ilir Metës, Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument për të gjetur proven.Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”.

Sa i takon Arben Ahmetajt, Dumani tha: “Arben Ahmetaj për ne është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë”.

Inceneratorin e Tiranës?

Për inceneratorin e Tiranës, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke mos përjashtuar as kryebashkiakun e Tiranës.

Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion.

Altin Dumani, kreu i SPAK

Pyetje: Edhe ndaj Veliajt?

Dumani: Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dy në arrati, janë persona në hetim. Dumani tha: “Hetimet janë intensive. Pavarësisht se është larguar ai vazhdon të jetë në hetim“.

Pyetjes për Mirel Mërtirin e Stela Gugalljan, se po bëjnë përpjekje për të përfituar azil dhe nëse ka veprime lidhir me këtë çështje, Dumani tha se nuk ka qëndrim refuzimi kërkese për ekstradim:

“Nuk kemi një komunikim që të na e kenë refuzuar kërkesën e ekstradimit. Nuk ka patur një vendim mohues nga partnerët që janë duke u kryer procedurat e ekstradimit të personave në fjalë. E njëjta gjë vlen edhe për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla”.

Sterilizimi dhe Ilir Beqaj?

“Jemi prokuror por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin Maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër”.

Altin Dumani, kreu i SPAK

Për çështjen “McGonigal” ai u pyet në kuadrin e një kallëzimi që është bërë në SPAK nga Gazment Bardhi ku Dumani konfirmon regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime, por nga ana tjetër nuk komentoi fazën ku ndodhen dhe nëse ka komunikim apo bashkëpunim me autoritetet amerikane.

“Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”.

Altin Dumani, kreu i SPAK

Dumani nuk dha shifra zyrtarësh kryesisht policor të dalë nga transkriptet e Encro Chat dhe Sky ECC, por tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë, teksa foli edhe lidhur me çështjen e posedimit të një aparati të tillë, ku qëndrimi i tij nxjerr në pah përplasjen me ministrinë e brendshme që disa javë më parë komunikoi se çdo punonjës policie që i kanë përdorur duhet të përjashtohet nga strukturat.

Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i komprometojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita.

Altin Dumani, kreu i SPAK

/Shqip.com