Nesër shpallen rezultatet përfundimtare të raundit të dytë

Të shtunën e 20 nëntorit pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashmë ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave.
Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nëse ka ankesa në ndonjë komunë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përmbyllur të gjitha proceset në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, në mesin e të cilave është numërimi i votave jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja e rrethana të veçanta”.
“Tashmë ka mbetur që të shtunën të marrim konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kjo do të thotë se KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare të raundit të dytë gjatë ditës se shtunë”, thotë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Ndërsa, sa i përket rezultatit në Komunën e Dragashit, Elezi thotë se nëse ka ndonjë çështje ende të pavendosur nga PZAP, do të procedojnë me komunat e tjera në të cilat nuk ka ndonjë ankesë.
“Natyrisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë konfirmimin nga ky institucion nëse ka ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur dhe mbi bazën e kësaj përgjigje do të veprojë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
Me 14 nëntor, në 21 komuna është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pas atyre që u mbajtën me 17 tetor në tërë territorin e Kosovës.
Në këtë rauund, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar më së shumti komuna – nga pesë gjithsej. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para parti në katër komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në tri komuna, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka fituar vetëm një komunë./SHQIP.com