Nesër hidhet në votim për shqyrtim të parë projekt-buxheti për vitin 2022

Kuvendi i Kosovës do ta ketë seancën e radhës të enjten, duke filluar nga ora 10:00. Si pikë kryesore do të jetë votimi i shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për vitin 2022.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar këtë projektligj “si më të mirën në histori të vendit”.
Ka thënë se përmes një buxheti të tillë do të ketë “më shumë rritje ekonomike”.
Kjo nënkupton që për kreun e ekzekutivit ka shumë rëndësi që të kalojë projektligji në shqyrtim të parë, pra nesër.
Për këtë duhen 61 vota në Kuvend – partia e tij; Lëvizja Vetëvendosje ka 59 ulëse nga 120 sa ka Parlamenti.
Por, të mërkurën para se ta mbyllte mbledhjen e qeverisë, Kurti kërkoi nga minsitrat dhe deputetët që të paraqiten në seanca parlamentare.
Kjo pasi ka shumë mungesa të deputetëve dhe ministrave nëpër seanca parlamentare.
Madje, kjo e detyroi kryeparlamentatin, Glauk Konjufca që t’i kërkojë qeverisë “të bëhet më serioze”.
Mirëpo, ka deputetë që po mungojnë për shkak të mospajtimeve.
Një nga ta është Haki Abazi – i cili është ankuar në partinë e tij, por s’ka treguar përmbajtjen e ankesës.
Sidoqoftë, nesër vazhdon seanca e radhës dhe këto do të jenë pikat e renditt të ditës. /Shqip.com
Rendi i ditës:

1. Miratimi i rendit të ditës,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08-L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara,
8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020,
9. Propozimi i GP të LVV-së për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare,
10. Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit,
11. Zgjedha e anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.