Nenad Gjuriq pranon se ka bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë

Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, ka pranuar se pasurinë e tij e ka deklaruar rrejshëm dhe sipas tij arsyeja është se ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi.
Gjuriq ngarkohet se nuk ka paraqitur saktë në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të hyrat për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë 2020-ës ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.
“Kjo ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi me Agjencinë kundër Korrupsionit, nuk kam pasur asnjëherë qëllim që të kryej ndonjë veprim të kundërligjshëm, më vjen keq për këtë, prandaj dhe e pranoj fajësinë”, deklaroi Gjuriq, raporton Betimi për Drejtësi.
Në lidhje me caktimin e sanksionit penal, prokurori Xhema i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe si rrethanë rënduese të marrë parasysh faktin se vepra për të cilën akuzohet Nenad Gjuriq hyn në kapitullin e korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merret parasysh pranimi i fajësisë nga i njëjti.
Ndërsa, avokati Pantoviq në lidhje me sanksionin penal, i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënim me kusht ose dënim të ulët me gjobë, pasi sipas tij kështu do të arrihej qëllimi i dënimit, i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Në anën e të mbrojturit tim ekzistojnë vetëm rrethana lehtësuese, kurse rrethana rënduese që e përmendi prokurori nuk ekziston, sepse ligjdhënësi për secilën vepër penale ka përcaktuar dënimin dhe nuk mund të thuhet se i mbrojturi im duhet të dënohet më rëndë, vetëm për shkak se ka kryer veprën penale nga kapitulli në fjalë”, tha avokati Pantoviq.
I njëjti shtoi se i akuzuari Gjuriq e ka pranuar fajësinë që në fazën e hetimit, asnjëherë më parë nuk ka kryer vepër penale, është njeri familjar dhe ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale.
Ai shtoi se është i vetëdjshëm për parimin se mosnjohja e ligjit nuk arsyetohet, por tha se e konsideron të rëndësishme që gjykata ta ketë parasysh këtë fakt, me rastin e caktimit të dënimit.
Në anën tjetër, Nenad Gjuriq deklaroi se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij, ndërsa shprehu keqardhje për rastin.

Gjyqtari Xhemajl Jusufi njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 3 mars 2023.
Kujtojmë se nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës së Gjuriq, vendim për të cilin ky i fundit ka të drejtë të paraqesë ankesë.
/Shqip.com