Lajme

Nën presionin e protestuesve miratohet propozim-vendimi për shfuqizimin e Planit Rregullues për “Kalabrinë”

Komuna e Prishtinës

Nën presionin dhe zhurmën e protestuesve, dhe pa prezencën e opozitës, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar Propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

Vendimi është marrë me 25 vota ‘për’, as një kundër.

Banorët e kësaj lagjeje të cilët ishin të pranishëm në sallë, kanë debatuar ashpër dhe me tone të ngritura kanë kërkuar që plani të mos shfuqizohet.

Kërkesa e banorëve është mbështetur edhe nga këshilltarët e partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe AKR, të cilët pasi paraqitën qëndrimin e tyre e lëshuan sallën e mbledhjeve.

Po ashtu kuvendi miratoi edhe propozim-vendimin për anulimin e Vendimet për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të përsëritshëm të bllokut urban “D2”, në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3”.

Ndërkohë që paraditen e sotme teksa po fillonte mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës e që në rend të ditës ishte edhe Plani Rregullues për lagjen “Kalabria”, banorët e kësaj të fundit u mblodhën para objektit të komunës për ta kundërshtuar shfuqizimin e këtij plani.

Sipas tyre me shfuqizimin e planit rregullues do të pamundësohet mbulimi i lumit dhe punimet e rrugës A.

Përfaqësuesi i banorëve, Besim Krasniqi deklaron se plani rregullues ishte miratuar në Kuvend duke i hapur rrugë investimeve të reja në këtë lagje e cila deri tani është neglizhuar.

“Kërkojmë nga Kuvendi Komunal që të mos bëjë shkelje sepse plani rregullues është i barabartë për banorët. Nëse shfuqizohet sjell shumë probleme. Me planin mundësohet rregullimi i kolektorit dhe shpronësimi bëhet më lehë. Si lagje jemi diskriminuar tash e 15 vite sepse nuk ka pasur investime”, ka thënë ai.

Për të njëjtën arsye, këta banorë protestuan edhe më 15 mars para objektit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (MMPHI)./SHQIP.com