Lajme

Nën masa të forta sigurie, mbërrin në Rinas Florenc Çapja, i ekstraduar nga Dubai

Florenc Çapja, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, ka mbërritur sot në aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie.

Ai është ekstraduar dhe është shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat kanë marrë në dorëzim Çapjan, i cili do të dërgohet te blloku i sigurisë “Mine Peza”.

Policia e Shtetit ka publikuar edhe pamjet kur Çapja shoqërohet nën masa të rrepta sigurie.

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar vendosi ta dënojë me burgim të përjetshëm Çapjan, i akuzuar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan.

Si pjesë e grupit kriminal në Elbasan u dënua me brugim të përjetshëm edhe Florenc Çapja, Jorgo Leku ose Olsi Leku. Ervis Bardhi si bashkëpunëtor i drejtësisë është dënuar me vetëm 15 vite burgim, ndërsa me 25 vite burgim është dënuar Klajdi Dokli dhe Etjen Cani.

Të gjithë këta janë pjesë e një bande të njohur në Elbasan dhe akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri.

“Ekstradohet nga Dubai, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan.

44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit
me partnerët ndërkombëtarë“, njofton policia e Shtetit.

/Shqip.com