Rozë

Në sheshet e Prishtinës organizohet ecje për mbështetje ndaj Adriana Matoshit

Ecim për Adrianën

Të martën duke filluar nga ora 12:00 organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, për nder të aktores së njohur, Adriana Matoshi, e cila u diagnostifikua me tumor në tru, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të këtij organizimi, me anë të kësaj ecje, duan që të solidarizohen me sfidën e aktores, teksa janë ftuar të gjithë personat që të jenë pjesë e kësaj ecje.

Deputetja dhe aktorja, Adriana Matoshi

“Në nder të aktorës së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipëfoles, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostifikua me tumor në tru, organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë.

Duam që me anë të kësaj ecje, të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitoj si çdo peripeti që e ka kaluar në jetë. Ftoni të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin Adrianën në këtë luftë dhe ti tregojmë që jemi të gjithë bashkë me të”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Adriana Matoshit i rikthehet tumori në kokë: Mos harroni me dashtë vetën edhe jetën

Ndryshe, aktorja e njohur e cila është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, të hënën ka njoftuar se është diagnostifikuar me  tumor në kokë.

Ajo, përmes një postimi prekës në Facebook, tha se pas nëntë viteve i është rikthyer sërish sëmundja të cilën e kishte mposhtur një herë.

“Tash, nëntë vite më vonë, duke mos pushu kurrë sa duhet, m’kapi lodhje prej angazhimeve të mia të shumta, stresi i akumuluar brenda, mbingarkesat, krejt këto m’bonën me menu që e kom tepru. Ja kom thy limitet vetes. Po aty e kuptova që tumori në tru ish rikthy prapë”, ka shkruar Matoshi në Facebook.

Ndër tjerash, ajo shpreson që ta kalojë këtë sfidë me sukses dhe ta jetojë jetën pranë fëmijëve dhe ta vazhdojë rrugëtimin e saj artistik.

“Me misionin e njëjtë prapë po më duket, me më tregu që koha është tepër e vlefshme edhe duhet me kalu më shumë kohë me prindërit e mi, fëmijët e mi, të dashurin tim, me krejt shoqërinë, kolegët e njerëzit që duhemi pa kushte. Gjithçka dua më shumë”.

“Të mërkurën duhet prapë me u përballë mes jetës edhe vdekjes, mirëpo e di që rrugëtimi im do të vazhdojë, sepsë është shumë i gjatë. Kam shumë qytete të botës pa i parë, shumë skena të filmit pa i shkelë, shumë role pa i luajt, i kam fëmijtë që duhet me i bë të Zot e vetës…”, përfundon Matoshi./Shqip.com