Në QKUK kryhet një operacion i rrallë, 76-vjeçari operohet në arterien karotide të brendshme

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është kryer një operacion i rrallë dhe i ndjeshëm për herë të parë në Kosovë, përcjell Shqip.com.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se mjekët kanë operuar një 76-vjeçar në arterien karotide të brendshme e cila ishte në formë spiraleje deri te hyrja e saj në tru.
“Mjekët kirurgë, bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë operuar një pacient 76 vjeçar në arterien karotide të brendshme (arterie që ushqen trurin me gjak). Arteria ishte në formë spiraleje deri te hyrja e saj në tru dhe ishte e ngushtuar në origjinën e saj.
Sëmundjet e shfaqura në arterien karotide janë të rralla, me një rrezik të madh për të shkaktuar sulm në tru”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e ShSKUK-së.
Tutje, në njoftim thuhet se pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik është kryer me sukses dhe pacienti është liruar për në shtëpi.
“Pas operacionit, janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik është kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 3 ditë hospitalizimi, është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet tutje në njoftim./SHQIP.com