Lajme

Në nderim të viktimave të 11 shtatorit, në kazermat e FSK-së flamujt lëshohen në gjysmë shtizë

Kazerma e FSK-së

Në shenj të nderimit dhe përkujtimit të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës të shtunën flamujt janë lëshuar në gjysmë shtizë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një postim në Facebook.

“Sot, të gjitha kazermat e FSK-së, në orën 14:45 minuta, në shenjë nderimi dhe përkujtimi të viktimave dhe heronjve të SHBA-së, që 20 vite më parë, u flijuan në përballje me sulmin terrorist, të gjithë flamujt janë lëshuar në gjysmë shtizë”, ka shkruar ai.

“Në këtë ditë përkujtimi, bashkëndjejmë me dhembje të madhe, bashkë me të gjitha familjet që humbën më të dashurit e tyre dhe gjithë kombin amerikan. Lavdi e përjetshme dhe kujtim për ta qoftë i freskët gjithmonë! Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqësinë tonë të përjetshme!”.

Lexo edhe:
20 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit

Ndryshe, të shtunën janë bërë 20 vjet që nga sulmet terroriste mbi “Kullat Binjake”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 2 mijë e 977 njerëz kishin mbetur të vdekur, më 11 shtator 2001. Sulmet ishin kryer nga organizata terroriste Al-Qaeda, të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë për të nisur sulmet./SHQIP.com